Gjakovë, urdhër arrest për të dëmtuarin në rastin e kontrabandës me migrantë

Gjykimi i Bashkim Isufit, nga fshati Bec i Komunës së Gjakovës, i cili po akuzohet me kontrabandim me migrantë, u shty për datën 6 nëntor.

Bashkë me Isufin në këtë rast i akuzuar është edhe Sali Krasniqi nga fshati Vilanc i komunës së Vushtrrisë, por ndaj tij ishte veçuar procedura dhe i njëjti ishte dënuar pas pranimit të fajësisë.

Dy të akuzuarit që nga viti 2008 ishin ngarkuar me akuzën se për shumën prej 2mijë e 800 euro, kanë arritur marrëveshje që ta kontrabandojnë Agron Hotin, nga fshati Ratkoc i Komunës së Rahovecit.

Sot, planifikohej të dëgjohej i dëmtuari në cilësi të dëshmitarit Agron Hoti, mirëpo Hoti nuk ishte prezent në gjykatë.

Gjykatësi, Shaqir Zika, tha se do të lëshohet urdhër arrest për të.

Në gjykatë, i pranishëm ishte vetëm dëshmitari Rrahman Gashi, nga fshati Hatmaxh i Prizrenit.

Prokurori Ali Uka, propozoi që seanca e sotme të shtyhej për shkak të mos plotësimit të kushteve ligjore dhe e njëjta u caktua për datën 6 nëntor.

Sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2008 në Gjakovë, të akuzuarit Bashkim Isufi dhe Sali Krasniqi kishin marrë pjesë në kontrabandimin e emigrantëve.

Aktakuza thotë se të akuzuarit janë takuar në një lokal në në Gjakovë me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij Arben Hoti, të cilët janë dakorduar që Agron Hotin ta dërgojnë në Itali, në këmbim të shumës prej 2 mijë e 800 euro.

Aktakuza shpjegon se i dëmtuari Agron Hoti përmes mikut të tij Rrahman Gashi ia ka paguar shumën prej 400 euro si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 eurove.

Në këtë rast i dëmtuari rrugës për në Itali ishte ndaluar dhe ishte kapur nga ana e policisë boshnjake, në qytetin Velika Klladusha të Bosnjës.