Gjakovë, shtyhet seanca ndaj ish-Nënkryetarit të Komunës pasi gjendet në Amerikë

Seanca e sotme e ndaj ish-Nënkryetarit të Komunës së Gjakovës, Ramadan Hotit është shtyrë për datën 9 dhjetor.

Shkak i shtyerjes së kësaj seance ishte se nga fletëkthesa në lëndë gjykatësja e rastit Diana Sina njoftoi që i njëjti gjendet në Amerikë.

Gjykatësja tha se nga Policia pritet që të njoftohet për vendodhjen e saktë të të akuzuarit Ramadan Hoti.

Sot ishte paraparë që i njëjti të deklarohet rreth akuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Bajram Kryeziu, në periudhën kohore 1 mars deri më 31 mars 2019, Ramadan Hoti duke qenë në cilësinë e Nënkryetarit të Komunës së Gjakovës nuk e ka bërë deklarimin e rregullt të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se ky obligim ka qenë i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik dhe të njëjtit kanë qenë të informuar dhe në dijeni për deklarimin e pasurisë.

Aktakuza është ngritur në muajin shkurt të vitit 2020.