Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj një të mituri të dyshuar për vrasje në tentativë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj të pandehurit B. S. me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Prokuroria ka njoftuar se më 1 nëntor 2021, në Gjakovë, në afërsi të parkut të qytetit, i mituri, B. S. me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta një person.

“Rasti ka ndodhur pas një fjalosje që kishin pasur dy ditë më përpara, dhe gjatë takimit të tyre të përbashkët, ndodh një rrahje mes tyre, e më pas i pandehuri me një mjet të mprehtë (thikë), e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas këtij njoftimi, Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim.