
Gjakovë, probleme me sistemin në qendrën e votimit me kusht
Në Qendrën e Votimit me kusht në Komunën e Gjakovës ka pasur probleme me userin e sistemit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtari i KKZ, Armir Rexha.
Ai ka bërë të ditur se problemi tashmë është rregulluar dhe përveç disa votuesve që nuk kanë mundur të votojnë në fillim, tash procesi po shkon normalisht.
“Në fillim kur e kemi hapë qendrën kemi pasë problem. Tash është rregulluar, zyrtarët e IT-së janë këtu, gjithashtu edhe ata të trajnimit” – ka thënë Rexha.
Në Gjakovë të drejtë vote kanë 119 mijë e 237 persona, në 36 Qendra të votimit, si dhe 1 qendër e votimit me kusht.
Në Gjakovë të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, në ora 07:00 të mëngjesit.
“Të gjitha qendrat janë hapur me kohë në ora 07:00, nuk ka pasur asnjë vonesë, përpos ndonjë problemi teknik të vogël, gjithçka ka qenë në rregull. Edhe materiali zgjedhor ka arritur me kohë” – ka thënë Rexha.
Qytetarët e Republikës së Kosovës sot më 09.02.2025 do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur ligjvënësit dhe Qeverinë e re.
Qendrat e votimit do hapen në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.
Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 milion e 970 mijë e 944 votues me të drejtë vote.
Në të gjithë territorin e vendit do të hapen 903 Qendra të Votimit, me gjithsej 2 mijë e 533 vendvotime.
Në këto Zgjedhje të gjithë ata që do të votojnë me kusht kanë mundësi të votojnë vetëm në një Qendër Votimi, në një Komunë. Sipas KQZ-së do të jenë 38 Qendra Votimi me kusht, me gjithsej 58 vendvotime.