Gjakovë, Policia konfiskon mbi 30 kilogramë marihuanë

Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 30 kilogramë marihuanë. Zbulimi i narkotikëve është mundësuar pas informacioneve që ka marrë Policia se një veturë po bënte lëvizje të dyshuara.

Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Gjakovë, ka dalë në lokacion me ç’ rast ka vëzhguar dy persona të dyshuar: i dyshuari i parë e kishte të parkuar veturën në një parking, në ndërkohë që me veturën e të dyshuarit të dytë kanë vazhduar në drejtim të qytetit të Gjakovës.

Pas kontrollimit të veturës, në bagazhin e veturës së njëjtë janë gjetur katër (4) qese të mbushura me substancë narkotike të llojit Marihuanë, po ashtu në cilësi të provave materiale janë konfiskuar edhe disa dëshmi.

Policia ka konfiskuar katër qese najloni, në të cilat ishte e fshehur droga, me peshë totale rreth 31 kg e 102 gram, dy vetura, një dokument, dy leje të qarkullimit dhe çelësat e veturave, tre telefona, para të gatshme 75 (shtatëdhjetë e pesë) euro dhe 1800 (njëmijë e tetëqind) lekë të Shqipërisë,

Për këto veprime të kundërligjshme janë arrestuar dy të dyshuar, shtetas të Shqipërisë, me iniciale të njëjta. A.M dhe A. M.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rast për “Blerje, posedim, shitje ose shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”,

Po ashtu me urdhër të të njëjtit, të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.