Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com

Gjakovë, nuk vjen në gjykatë i akuzuari se kishte rrahur gruan e tij me grushte

A.M, i akuzuar se kishte rrahur bashkëshorten e tij, F.T nuk erdhi në sallën e gjykimit për tu përballur me akuzën për dhunë në familje.

Pas kësaj, gjykatësja e rastit caktoi datën 20 tetor për mbajtjen e seancës së radhës, ku i akuzuari do të sillet me detyrim në gjykatë nga ana e Policisë.

Prezent në sallë të gjykimit ishte e dëmtuara F.T  dhe mbrojtësi i viktimave Agim Pula.

Sipas aktakuzës, të ngritur nga prokurorja Mone Syla, në mars të vitit 2020, i akuzuari A.M, duke përdorur forcën fizike i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore gruas së tij, F.T.

Aktakuza thotë që derisa e dëmtuara kishte qenë duke përkundur fëmijën e tyre, i akuzuari kishte hyrë në shtëpi duke iu drejtuar me fjalët “pse po më kqyr”, ndërsa e dëmtuara i ishte përgjigjur me fjalët “nuk po të kqyri”.

Në aktakuzë thuhet se pas këtyre fjalëve, i akuzuari ishte revoltuar dhe e kishte goditur me grusht në kokë, ku nga goditja e dëmtuara ishte rrëzuar në tokë dhe më pas i njëjti e kap për flokësh dhe në pjesë të ndryshme të trupit e godet me grushte.