Gjakovë, një i arrestuar për fajde

Në flagrancë duke pranuar një shumë të parave prej 460 eurosh është kapur sot një person në Gjakovë nga Policia e Kosovës.

Sipas një njoftimi për media, pas kësaj i dyshuari L.H. është arrestuar për veprën penale ‘fajde’.

“Pas pranimit të infomacioneve për fajde, Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore – Gjakovë ka zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në mënyrë që të bëjë grumbullimin e provave materiale që argumentojnë veprën penale për të cilën dyshohej se e ka kryer personi i dyshuar.  Me urdhëresë të gjykatës, pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit fotografik ose me video, personi i dyshuar është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë të parave prej 460 (katërqind e gjashtëdhjetë) euro të fajdes, nga viktima e rastit”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e të njëjtit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një laptop dhe një pasaportë.

“Në lidhje me rastin  është njoftuar prokurori, ku me urdhër të tij, të dyshuarit të lartëcekur pas intervistimit  i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, përfundon njoftimi.

KALLXO.com kishte raportuar këtë javë se Policia më 16 dhjetor kishte bërë një aksion në Prizren, ku ka rezultuar me arrestimin e I.M. dhe M.M., të cilët dyshohen për veprën penale – fajde.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kërkuar nga i dëmtuari që “ose të  paguajë shumën e të hollave prej 50 mijë euro, ose duhet ta lëshojë shtëpinë e tij”.

Dosja e Prokuroria: Sa para fituan nga fajdet vëllezërit nga Prizreni?

www.kallxo.com