Gjakovë, ndalohen 4 persona të dyshuar dhe iu konfiskohet marihuanë

Katër persona janë ndaluar në fshatin Stubëll të Gjakovës, pasi tek të njëjtit është gjetur substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë, kur policia bastisi shtëpitë e tyre dhe objektet përcjellëse.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Gjakovës, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me peshë 5 kilogramë e 571 gramë, një pushkë gjuetie, pesë fishekë dhe një granatë dore.

“Më 25 tetor 2021, Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në  Gjakovë,  me kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë, kanë realizuar bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të  dyshuarve E.I, J.I, E.I., dhe Rr. Sh. , në fshatin Stubëlll, Komuna e Gjakovës, me dyshimin se në shtëpitë e tyre gjenden substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit gjenden në ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Armëmbajtje pa leje”.