Gjakovë: Mjekja e Spitalit të Gjakovës dhe kandidatja e një konkursi, ballafaqohen me dëshmitarë

Vera Lleshi, mjeke në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, ndërsa Jehona Arapi po akuzohet për deklarim të rrejshëm.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në Sistemin e informacionit shëndetësor (SISh), gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISh-it.

Sot, dëshmitari Jeton Huma-laborant në Spitalin e Gjakovës, njëkohësisht anëtar i Sindikatës, tregoi se si vëzhgues që kishte qenë në vlerësimin e kandidatëve, nuk kishte parë ndonjë problem apo lëshim.

“Kur shohim qe ka ndonjë lëshim ne e lajmërojmë sindikatën, por në këtë rast nuk kemi pasur asnjë vërejtje”- deklaroi dëshmitari Jeton Huma.

Ai tha se burri i të akuzuares Jehona Arapit, punon si teknik medicinal në Spitalin e Gjakovës, por përkundër kësaj ajo nuk ka qenë e propozuar nga askush që të favorizohet.

Më pas, dëshmitarja përpiluese e raportit të grafologjisë Nadire Ibrahimi, tregoi se në bazë të urdhëresës së Prokurorisë janë marrë mostrat eksperimentale.

Ajo tha se në këtë rast nuk ka pasur ndërhyrje, por vetëm shtim të tekstit.

“Bazuar në gjetjet e karakteristikave të përgjithshme dhe individuale, konstatoj se dorëshkrimi i cekur është i shtuar dhe rezulton se dorëshkrimi i shtuar është i shkruar nga personi i njëjtë i atij dorëshkrimi”- tha dëshmitarja Nadire Ibrahimi.

Dëshmitarja Ibrahimi tha se tek dorëshkrimet janë specifike sepse asnjë person nuk mund ta emitojë një person tjetër rastësisht.

Ndërsa, dëshmitarja Leonora Lleshi kolege e të akuzuarave, tregoi se si anëtare e komisionit nuk kanë lëvizur nga salla e vlerësimit.

Ajo tregoi se testi me shkrim vlerësohet nga kryesuesi i komusionit, ndërsanpër vlerësismin me gojë secili e vlerëson më pikë.

Dëshmitarja Lleshi tha se e akuzuara Vera Lleshi asnjëherë nuk i kishte kërkuar që ta favorizojë kandidaten Jehona Arapi.

Seanca e radhës u caktua me datën 8 janar 2021.

Në seancën e kaluar ishin dëgjuar si dëshmitarë kolegët e tyre.Që të dyja ishin deklaruar të pafajshme ndaj akuzave të Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISH, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

E akuzuara Lleshi, sipas aktakuzës, duke riplotësuar ka ndërhyrë në testin me shkrim të kandidates Jehona Arapi, me qëllim që t’ia mundësojë ngritjen e pikëve të testit, e më pas në bazë të raportit nga eksperimenti grafologjik është identifikuar ndërhyrja e anëtares së komisionit në testin origjinal të kandidatës.

Sipas aktakuzës, këto veprime së të akuzuares Lleshi, kanë ndodhur me datë 15 maj të vitit 2017.

Ndërsa, më datë 8 gusht të vitit 2019, Jehona Arapi, në cilësinë e dëshmitares gjatë dhënies në Stacionin Policor në Gjakovë, ka paraqitur deklarim të rremë, duke mohuar se ndokush anga anëtarët e komisionit e kishte ndihmuar rreth plotësimit të testit me shkrim dhe se shkrimin në testin e saj e kishte bërë me dy stilolapsa.

Aktakuza thotë se në bazë të kësaj deklarate, Arapi arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kështu edhe kandidatët e tjerë.