Gjakovë -  Mbështeten kërkesat e opozitës për largimin e deponisë së mbeturinave

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Gjakovës, u diskutuan kërkesat e opozitës për deponinë e mbeturinave në lagjen “Ali Ibra” (Koloni).

E njëjta kërkesë që iu bë kryetarit të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u mbështet dhe u votua nga shumica e asamblistëve pro realizimit të saj.

Problemi i kësaj deponie është se të gjitha mbeturinat e qytetit mblidhen nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati”, grumbullohen e lihen aty dhe ka një javë që të njëjtat po digjen, e që dyshohet se i është vënë zjarri qëllimisht.

Dyshohet se ato po digjen me qëllim të zvogëlimit të sasisë, por njëkohësisht po krijohet tym e erë shumë e keqe në të gjithë qytetin.

Asamblistët e kësaj komune, nga kryetari i kësaj komune kërkuan që brenda 30 ditësh të largohen mbeturinat nga stacioni transfer apo lagjja “Ali Ibra”, të prezantohet plani për transferimin e kësaj deponie, që zona aktuale të shndërrohet në zonë pa mbetje të mbeturinave të ndryshme dhe që organet e drejtësisë ta trajtojnë me prioritet shkaktarin e zjarrit.

Lidhur me këto kërkesa, kryetari Gjini tha se do t’i duhen të paktën 60 ditë që të mundohen ta evitojnë këtë problem.

I njëjti mohoi faktin se zjarri është vënë qëllimisht, duke theksuar se zjarri ka mund të filloj si pasojë e kimikateve të ndryshme të mbeturinave.

“Sot do të nënshkruajmë memorandum me Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit, të cilët do t’i ndajnë 400 mijë euro për transportimin e mbeturinave prej atij vendi, por një qendër e vogël e grumbullimit të mbeturinave është e nevojshme, sepse KRM “Çabrati” së pari duhet t`i vendos në një vend e pastaj t’i dërgojnë në deponinë tjetër në Landovicë”, tha kryetari Gjini.

Shkak i këtij reagimi nga anëtarët e kuvendit komunal është shuarja e tërësishme zjarrit dhe heqja e tyre nga ajo lagje.

Disa nga asamblistët Mimoza Shala, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ali Tafarshiku nga Alternativa, treguan se ka pasur ankesa edhe nga ana e banorëve të lagjes “Ali Ibra” dhe se qëllimi i tyre është eliminimi i këtij problem me qëllim të interesit shoqëror të përgjithshëm dhe shëndetit të qytetarëve të Gjakovës.

Ndërsa, drejtori i shërbimeve publike Shkumbin Kastrati tregoi se ideja dhe qëllimi i tyre si komunë është ta largojnë deponinë e mbeturinave dhe ta eliminojnë atë.

Kujtojmë që sot, ministri i Ekonomisë dhe Mjedisit Blerim Kuçi është takuar me kryetarin Ardian Gjini dhe përmes nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi, ka ndarë 400 mijë për pastrimin e lagjes “Ali Ibra” dhe rehabilitimin e asaj hapësire.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com ka raportuar kur vëllai i Hajdar Beqës, Hasan Beqa ka kërkuar 33% të aksioneve nga përfaqësuesi i kompanisë “Gjakova Riciklim”, Hajdar Podrimja, pasi që e njëjta të fillonte operimin e riciklimit të mbeturinave në po këtë deponi.

Mirëpo, edhe pse kjo kompani në vitin 2017 kishte fituar ankandin për riciklimin e mbeturinave, nuk kishte arritur ta nënshkruajë kontratën, e kjo gjë për shkak të ndërrimit të pushtetit dhe kërkesave të tjera.

Për këtë çështje, është transmetuar edhe emisioni “Drejtësia në Kosovë”, bashkë me mesazhet ku është kërkuar përqindja e kompanisë së reciklimit të mbeturinave.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.