
Gjakovë, lirohet nga akuza Dedë Lleshi, i akuzuar për një vrasje më 2003
Gjykata e Gjakovës më 14.02.2025 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Dedë Lleshi, i cili akuzohet për vrasjen e ndodhur më 12.07.2003 në fshatin Raçë të Gjakovës, e cila pretendohet të ketë ndodhur për qëllim të gjakmarrjes.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka liruar nga akuza D.Ll., për një vrasje të ndodhur në vitin 2003, në fshatin Raçë të Gjakovës”- tha Muqaj për KALLXO.com.
Më 19.04.2024 Prokuroria e Gjakovës kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Dedë Lleshit për vrasjen e ndodhur më 12.07.2003 në fshatin Raçë të Gjakovës, e cila pretendohet të ketë ndodhur për qëllime gjakmarrje.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit D. Ll., për shkak të veprës penale Vrasje nga neni 30 par.2 pika 3 të LPK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.
Lleshi është arrestuar më 07.02.2024 kurse më 08.02.2024 pasi Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë së Gjakovës kishte marrë një aktvendim për rifillim të hetimeve në lidhje me vrasjen.
Vrasja e cila ndodhi siç pretendohet për gjakmarrje u rikthye sërish në vëmendje pasi SHBA kishte ekstraduar Lleshin në Kosovë.
KALLXO.com kishte siguruar dosjen e Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj Lleshit.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes, i pandehuri më 12 korrik të vitit 2003 rreth orës 09:00, në fshatin Raçë të Gjakovës akuzohej se kishte vrarë 47-vjeçarin Nikollë Nikolla.
Dosja përmend faktin se vrasja ishte kryer 12 vjet pasi fillimisht ishte viktima që kishte vrarë babanë e Dedë Lleshit, Pashkë Lleshin.
Në ditën kritike, gjithmonë, sipas dosjes së Prokurorisë, Dedë Lleshi e kishte përcjellë Nikollë Nikollën dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan për të blerë ca gjëra ushqimore i pandehuri Dedë Lleshi e ka pritur në afërsi e pastaj prej një afërsie të pacaktuar ka shtënë në drejtim të tij shumë herë në pjesë të ndryshme të trupit, i cili nga plagët e marra ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, Dedë Lleshi, akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes.
Po ashtu i njëjti pretendohet se ka siguruar dhe pa autorizim deri më datë 12.07.2003 ka mbajtur një pushkë gjysmë-automatike “SKS”, me të cilën armë dyshohet se ditën kritike në fshatin Raçë të Gjakovës, mu para një dyqani ka shtënë në drejtim të Nikollë Nikollës.
Me këtë, Prokuroria pretendon se i pandehuri ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Dosja tutje thotë se meqë i pandehuri Dedë Lleshi që nga fillimi i procedurës ndodhej në arrati, Prokuroria në vitin 2004 kishte pezulluar hetimin.
“Meqë i pandehuri Dedë Lleshi është arratisur dhe si shkak i mos prezencës së tij është pezulluar hetimi, kemi marrë aktvendim mbi rifillimin e hetimit dhe po të njëjtën ditë paraqesim këtë kërkesë për caktimin e paraburgimit”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Mbrojtësi i të pandehurit Dedë Lleshi, Ndrec Dodaj, gjatë seancës dëgjimore ishte deklaruar për klientin e tij.
“Jam vënë në dijeni me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e kësaj mase dhe provat që pretendon, faktet që Prokuroria po thotë që do të vërtetohen gjatë hetimit”- kishte thënë ai.
“Është fakt nga kërkesa e Prokurorisë rezulton se kemi të bëjmë me një numër jo të paktë të provave materiale dhe formale. Mbrojtja për shkaqe objektive dhe të arsyeshme nuk kemi mundësi me e ditë përmbajtjen e atyre provave. Andaj këto prova mendoj se e vërtetojnë në fakt një incident, një vrasje që ka ndodhur, përshkruhet një motiv i asaj vrasje, duke pasur parasysh edhe një rrethanë si qytetar i këtij vendi dhe ngjarjen kur ka ndodhur unë mendoj se ky i pandehur mund të rezultojë fiktiv apo i kamufluar” – tha avokati Dodaj.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që as që ka qenë në vendin e ngjarjes, por arsyeja e ikjes mund të vërtetohet gjatë hetimeve, se pak raste ndodhin, këso vrasje kur vrasja ndodh, kryesi ikën dhe ashtu përfundon hetimi i gjykimit. Pra në këtë drejtim kam vërejtje në dyshimin e bazuar, derisa dyshimi i bazuar për mua është i kontestuar se ky i pandehur është kryesi i kësaj vepre”- kishte shtuar tutje avokati Dodaj.
Në këtë rast, Prokuroria e Gjakovës pretendon se kanë edhe deklarata të dëshmitarëve të asaj kohe.