Gjakovë, kërkohet paraburgim për dy persona të dyshuar për vrasje në tentativë

Prokuroria e Gjakovës, ka kërkuar paraburgim për dy të pandehurit L.B dhe E.B me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

Prokuroria ka njoftuar se më 30 tetor 2021, në fshatin Shkozë, komuna e Malishevës, i pandehuri L.B. me dashje tenton ta privojë nga jeta një person pas një konflikti të mëhershëm lidhur me një kontest civil.

Derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij, i pandehuri L.B., nxjerr armën dhe gjuan në drejtim të tij 22 herë, por nuk arrin ta qëllojë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, dhe po ashtu, i njëjti pa autorizim, ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se pandehuri E. B me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje ka ndihmuar të pandehurin, vëllain e tij, L.B., në kryerjen e veprës penale, duke pasur marrëveshje paraprake, ku më pas së bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 30 tetor 2021, thuhet në njoftim.