Gjykimi i Shkelzen Ahmetit - Foto: KALLXO.com

Gjakovë, ish-ofiqari, i akuzuar për falsifikim dokumentesh, ballafaqohet me dëshmitarë

Në gjykimin e tij, Shkelzen Ahmeti, ish-zyrtar i gjendjes civile, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, u ballafaqua me dëshmitarë.

Prokuroria pretendon se Shkelzen Ahmeti, personit N.N., duke mos ia verifikuar të dhënat personale, të njëjtat ia vërteton se kinse quhej Bujar Vishaj dhe të njëjtit më pas i është mundësuar që të pajisej me dokumente personale te zyrtarët e tjerë.

Sot, dëshmitari Avdurrahmon Hoti, nëpunës i dhënies së patentë-shoferëve, tregoi se për marrjen e patentë-shoferëve duhet të paraqitet letërnjoftimi dhe dëshmia e dhënies së provimit.

Ai tha se nuk është kusht ligjor që për tërheqjen e patentë-shoferit të jetë e domosdoshme prezenca e pales, e cila e ka parashtruar kërkesën.

Nga fotoja ku shihej personi Bujar Vishaj, e prezentuar nga prokurori Ramiz Buzhala, dëshmitari Avdurrahmon Hoti tha se nuk i kujtohej nëse e ka parë ndonjëherë atë person.

Më pas, dëshmitari Pren Prenaj, zyrtar për regjistrim në zyrën civile për pajisje me letërnjoftim dhe pasaportë, tregoi se për marrjen e këtyre dy dokumenteve të identifikimit duhet të prezentohet ekstrakti i lindjes dhe letërnjoftimi paraprak.

Dëshmitari Pren Prenaj tha se këto të dhëna duhet të barten në kompjuter.

Ai tregoi se për pajisje me letërnjoftim duhet ekstrakti i lindjes, ndërsa për pajisje me pasaportë duhet letërnjoftimi paraprak.

Pren Prenaj tha se personi Bujar Vishaj formularët e aplikimit i kishte bërë në mënyrë të rregullt.

Dëshmitari Prenaj tha se tërheqja e këtyre dokumenteve mund të bëhet personalisht ose nga ndonjë familjar përmes autorizimit.

Ai tregoi se të gjitha këto ruhen në arkivë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Shkelzen Ahmeti, avokati Meshari Selimaj, propozoi që si provë në shkresat e lëndes të bashkangjitet një faturë e KEDS-it, nga e cila faturë i akuzuari ështe bazuar dhe ka bërë ndryshimin e vendbanimit të personit Bujar Vishaj, për të cilat edhe akuzohet.

Një propozim të tillë e kundërshtoi prokurori i rastit, Ramiz Buzhala, ndërsa trupi gjykues aprovoi që ky propozim të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

Në këtë rast u lexuan edhe provat e çështjes, ndërsa data 16 tetor me vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Seanca e fundit e këtij rasti është mbajtur në muajin mars dhe  e njëjta kishte dështuar për shkak të mungesës së dëshmitarëve.
Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkelzen Ahmeti po akuzohet se personit deri më tani të panjohur, ia vërtetoi të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim me ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në Zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë-shofer.

Shkelzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrjeshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare, thuhet në aktakuzë.

Këto veprime pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Ky rast kishte dështuar edhe disa herë të tjera.

Shkelzen Ahmeti, tashmë zyrtar i emergjencave, në seancën e kaluar nuk kishte ardhur në gjykatë.