Gjakovë, ish-Drejtori i Qendrës së Shërbimit Mendor pranon fajësinë për mosdeklarim të pasurisë

Gjykimi ndaj Ismet Bardhoshi, ish- Drejtor i Qendrës së Shërbimit Mendor në Gjakovë, i cili po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, pranoi fajësinë pranë gjyqtarit Drilon Haraçia.

“Kur e kam bërë deklarimin nuk kam qenë në dijeni sepse nuk i kam kushtuar rëndësi për shkak se e kam paraqitur gjendjen faktike e jo juridike dhe kam gabuar duke mos e marrë dokumentin nga Kadastra, andaj kjo ka ndodhur dhe e pranoj fajësinë”, deklaroi i akuzuari Ismet Bardhoshi.

Shpallja e aktgjykimit bëhet nesër.

Në këtë çështje gjykatës ishte Mentor Bajraktari, mirëpo vitin e kaluar i njëjti ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda dhe lënda i është caktuar gjykatësit Drilon Haraçia.

Ismet Bardhoshi fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, Ismet Bardhoshi duke qenë në pozitën Drejtor i Qendrës së Shërbimit Mendor në Gjakovë, nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara për deklarimin e pasurisë.

Kështu në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, i njëjti ka paraqitur tokë bujqësore prej 6000 m² dhe një banesë prej 80 m², ndërsa në AKK ka dalur të jetë pronar i paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 11.001.25 m²- thuhet në aktakuzë.