Gjykata Themelore e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovë – I akuzuari për vjedhje shpallet i pafajshëm nga Gjykata

Gjykata e Gjakovës, përkatësisht gjykatësi Drilon Haraçia, ka përfunduar një aktgjykim ndaj të akuzuarve Shpat Bokshi dhe Sylejman Zatriqi, të akuzuar për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje.

Sylejman Zatriqi, është liruar nga aktakuza e Prokurorisë, ndërsa Shpat Bokshi është dënuar me dënim me kusht prej 1 viti, i cili dënim nuk do ti ekzekutohet nëse në periudhën prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale si dhe me gjobë në shumë prej 250 euro.

Prokuroria të njëjtit i akuzonte se në shtator të vitit 2013, në rrugën “Ymer Prizreni”, përkatësisht në shtëpinë e Ethem Bokshit- babait të të akuzuarit Shpat Bokshi, duke e hapur me forcë dritaren e katit të dytë, janë futur brenda, kanë marrë një zingjir ari në vlerë prej 700 euro dhe një unazë me gurë diamanti në vlerë prej 300 euro.

Me këto veprime, të dëmtuarit Ethem Bokshi i ishte shkaktuar dëm material në vlerë prej 1000 euro, ku më pas ata ishin larguar në drejtim të panjohur.

Ndaj Sylejman Zatriqit, gjykata në mungesë të provave ka marrë aktgjykim  lirues, pasi që nuk është vërtetuar se i njëjti e kishte kryer veprën penale.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast: LINK