Gjakovë, gruaja që rrahu burrin dërgohet në Psikiatri

Një grua në Gjakovë është dërguar në stacionin e Policisë nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht burrin e saj.

E njëjta, sipas Policisë, ka pasur edhe probleme me shëndetin mendor.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nysret Xhurkaj.

Sipas Xhurkajt, burri i të dyshuarës ka qenë pjesërisht i palëvizshëm.

Rasti i sulmit ka ndodhur në repartin e neurologjisë në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.

Tutje Xhurkaj ka njoftuar se burrit i është ofruar ndihma mjekësore. Për rastin është njoftuar edhe mbrojtësi i viktimave si dhe punëtori i Qendrës Sociale të cilët kanë qenë prezent gjatë trajtimit të rastit.

Gruaja, sipas Policisë, për shkak të problemeve me shëndetin mendor është dërguar në repartin e psikiatrisë.

“E dyshuara (bashkëshortja) është shoqëruar në stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak te gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë , nën shoqërimin e zyrtarëve policorë”, ka thënë Xhurkaj për KALLXO.com.

Ky i fundit përmendi edhe faktin se për ngjarjen janë njoftuar përmes një video-incizimi të cilin e kishin pranuar përmes adresës elektronike.