Gjakovë, gjendet i vdekur një person, dyshohet se e ka vrarë e bija

Një person është gjetur pa shenja jete në Gjakovë.

Rasti ka ndodhur para disa orësh.

87 vjeçari M.R. është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij nga kujdestarja familjare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

Sipas Policisë, afër trupit të viktimës ishte gjetur e shtrirë vajza e tij T.R., e lindur më 1962, e cila është me të meta mendore.

E njëjta, sipas Policisë, po dyshohet për vdekjen e babait të saj.

“Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sabrije Vokshi” në Gjakovë, ku M.R., i lindur më 1933 është gjetur pa shenja jete. Rastit i janë përgjigjur njësitë policore dhe urgjenca mjekësore. Mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës, i cili kishte lëndime në kokë dhe dorë. Përveç tij lëndime kishte edhe vajza dhe për këtë arsye ekziston dyshimi i arsyeshëm se vrasëse potenciale mund të jetë vajza”, tha Xhurkaj.

Policia bën të ditur se vajza e viktimës është hospitalizuar në Spitalin Regjional “Isa Grezda”, në repartin psikiatrik.

Me vendim të prokurorit, të njëjtës i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në obduksion.