ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjakovë e Rahovec, arrestohen pronarët e 4 restoranteve, nuk respektuan masat kundër COVID-19

Për shkak të mosrespektimit të masave kundër pandemisë COVID-19, Policia ka arrestuar mbrëmë pronarët e katër lokaleve ku ishin organizuar ahengje të ndryshme.

Sipas Policisë, rreth orës 21:00 në Gjakovë është arrestuar i dyshuari i cili nga njësiti policor është hasur në lokal në të cilin kishte qenë duke u mbajtur një aheng familjar.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Rahovec, rreth orës  22:30 është arrestuar i dyshuari i cili nga njësiti policor është hasur në lokal në të cilin kishin qenë të pranishëm disa persona të cilët kishin vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë lidhur COVID-19.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Edhe në Gjakovë rreth orës 22:20 është arrestuar i dyshuari në lokalin e të cilit kishin qenë të pranishëm disa persona.

Nga inspektorët komunalë është bërë procesverbal për mosrespektim të vendimit të Qeverisë lidhur me virusin COVID- 19, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Po ashtu, në Gjakovë rreth orës 23:00 është arrestuar i dyshuari për shkak se kishte organizuar aheng familjar, në të cilin kishin qenë disa persona ku kështu kishte vepruar kundër  vendimit të Qeverisë. Në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarit është iniciuar lënda e rastit e cila procedohet në procedurë të rregullt.