Foto: Ilustrim

Gjakovë - Dyshimet për dhunimin seksual të një personi me çrregullime mendore, Policia jep detaje

Është arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti më 6 shkurt 2022 kishte dhunuar seksualisht një burrë me çrregullime mendore.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje gjatë ditës është bërë arrestimi i të dyshuarit.

“Është arrestuar i dyshuari dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, është thënë në njoftimin e Policisë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht për rastin.

Prokuroria Themelore e Gjakovës, ishte deklaruar në lidhje me dyshimet se është dhunuar një burrë nga Gjakova, i cili dyshohet se ka çrregullime mendore.

Në përgjigjet e Prokurorisë ishte treguar se personi që dyshohet se ka kryer këtë vepër gjendej ende në arrati.

Këtë e kishte thënë për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Yllka Shehu.

“Personi i dyshuar gjendet në arrati dhe është në kërkim policor”, kishte thënë ajo.

Tutje e njëjta kishte treguar se Prokurori i Shtetit kishte bërë kërkesë për ekzaminim gjinekologjik dhe psikiatrik për të dëmtuarin.

Për rastin pati dhënë detaje edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për këtë rajon, Nysret Xhurkaj.

“Policia ka takuar viktimën, i cili është person me të meta psikike, dhe ka ngecje në të folur. I njëjti ka sqaruar se ka pasur marrëdhënie seksuale me një burrë që për momentin është i panjohur për të”, kishte thënë Xhurkaj për KALLXO.com.

Tutje ai kishte treguar se ngjarja kishte ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së 6 shkurtit, rreth orës 22:30.

Po ashtu, Xhurkaj kishte njoftuar se viktima kishte lëndime të dukshme trupore dhe se i ishte ofruar tretmani mjekësor.