Policia e trafikut. Foto: Kallxo.com

Gjakovë, dyshime për keqpërdorime me shqiptimin e gjobave të trafikut, ngrihet aktakuzë ndaj një polici dhe një qytetari

Prokuroria e Gjakovës më 02.10.2024 ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarit policor T.Gj. nën dyshimin për keqpëdorime me shqiptimin e tiketave në trafikun rrugor, gjë të cilën, sipas Prokurorisë, e ka bërë sipas kërkesës së të akuzuarit të dytë B.K. dhe për qëllime përfitimi.

Sipas aktakuzës, i pandehuri T.Gj. si zyrtar policor në Gjakovë ka tejkaluar kompetencat e tij nga data 07.02.2024 deri më 23.02.2024.

Në njoftim thuhet se i lartcekuri i ka plotësuar gjobat e trafikut të fotokopjuara më parë bazuar në kërkesën e tani të pandehurit B.K., nga data 09.02.2024, të shqiptuar në emër të V.B., dhe më 21.02.2024, të shqiptuar në emër të A.B.

Gjobat më tutje T.Gj., sipas Prokurorisë, i ka fotografuar dhe ia ka dërguar B.K. në Viber me qëllim që nga i njëjti të përfitojë.

Sipas Prokurorisë, më 23.02.2024, rreth orës 15:40, T.Gj. shkon me veturë te një pompë e derivateve në Gjakovë dhe merr pjesë për servisim të automjetit në vlerë 112 euro të cilat ia kishte lënë B.K. për t’ia dorëzuar të njëjtit.

Tutje, sipas njoftimit, ka rezultuar se polici në fjalë gjobat nuk i kishte dorëzuar në stacionin policor, dhe as nuk i kishte plotësuar në librin e tiketave dhe se ato i kishte përdorur në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit.

Për shkak të këtyre veprimeve, Prokuroria po e akuzon T.Gj. për kryerjen e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Njoftimi po ashtu citon pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës ku thuhet ndër të tjera se i pandehuri i dytë B.K., më 23.02.2024 me qëllim të dëmtimit të qytetarit – ish-shokut të tij V.B., në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të personit zyrtar që të veprojë në kuadër të detyrës zyrtare i kërkon të pandehurit T.Gj., që në cilësi të zyrtarit policor të komunikacionit rrugor ta dënojë V.B. dhe familjen e tij sa herë t’i takojë.

Kështu, organi i ndjekjes pretendon se i pandehuri B.K. pasi është njoftuar nga T.Gj. lidhur me shqiptimin e tiketave ndaj V.B. dhe A.B., të cilat ia kishte fotografuar i pandehuri T.Gj., ditën kritike rreth orës 15:30 vjen te pompa e derivateve e lartcekur ku pjesët për servisim të veturës në vlerë prej 112 euro ia dorëzon punëtorit të pompës së derivateve, duke ia bërë të ditur se do të vijë zyrtari policor T.Gj.

Për shkak të këtyre veprimeve Prokuroria po e akuzon B.K. për kryerjen e veprës penale – dhënia e ryshfetit.