Gjakovë - Dy prej 9 policëve të suspenduar kthehen në punë

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ka thënë për KALLXO.com se dy prej nëntë zyrtarëve që ishin suspenduar në shtator të vitit 2020, janë kthyer në shërbim.

Ky rast ka të bëjë me rastin e 13 shtatorit, ku dyshohet se një zyrtar policor kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një motoçiklisti, i cili ishte në lëvizje dhe i njëjti kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

“Në kuadër të një hetimi që Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kishin filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës), sot është bërë rekomandimi për suspendim edhe për dy zyrtarë policorë  lidhur me rastin e njëjtë”, thuhej në komunikatën e IPK-së në muajin nëntor 2020.

Sipas IPK-së, rekomandimi për suspendim që është bërë në interes të procedurës hetimore, është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Më 28 tetor, IPK kishte njoftuar se ishin suspenduar shtatë polic, për rastin e lartpërmendur.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës)”, thuhej në njoftimin e IPK-së më 28 tetor.

Hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.

IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se  me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.

“Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kishin zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë (fshehje e dëshmive  dhe informacioneve lidhur me rastin  e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm)”, thuhej në njoftimin e policisë më 28 tetor.

Gjithsej nëntë zyrtarë policor ishin suspenduar nga ana e IPK-së.

Edhe dy policë të suspenduar nga IPK për rastin e të shtënave me armë ndaj motoçiklistit në Gjakovë