Gjakovë, dështon seanca për vrasjen në Ratkoc të Rahovecit

Gjendja shëndetësore e prokurorit Ali Uka në Gjakovë, ka ndikuar që të shtyhet seanca e paraparë ndaj Feriz Hotit, i akuzuar për vrasjen e Hamdi Jusufit në maj të vitit 2017.

Seanca e sotme ishte njëra nga disa seanca gjyqësore në Gjykatën e Gjakovës që nuk u mbajtën pasi prokurori i rastit Ali Uka, javën e kaluar dyshonte se kishte simptoma të Covid-19 dhe i njëjti kishte për tu testuar.

Kjo seancë planifikohej të mbahej edhe më 26 dhe 28 gusht.

I akuzuari Hoti në mungesë të provave ishte liruar nga akuza e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje në shtator të vitit 2018.

Prokuroria akuzonte Hotin se këto vepra i kishte kryer natën e 17 majit të vitit 2017, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, ku kishte qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij, duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin nga Gjilani.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë së Gjakovës, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyet në rigjykim, me arsyetimin se dëshmitari Bajram Morina duhej të ballafaqohej drejtpërsëdrejti me të akuzuarin Feriz Hoti.

I njëjti dëshmitar ka dëshmuar para një jave.

Ndërkaq, sot në seancën e dytë të rigjykimit të udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Pozhegu, i ndihmuar edhe nga gjyqtarët Ilir Rrashkaj dhe Myfera Hoxha, do të dëshmonte dëshmitari Muhamet Kiçmari.

Sipas aktakuzës, thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F”, për të vjedhur brenda tij, ai doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Në aktakuzë thuhet se katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai kishte vazhduar të gjuante drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”- thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Hoti ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzës së Prokurorisë.

Në këtë rast, ishte rihapur gjykimi, për shkak të gjetjes së një dëshmitari të arratisur më parë nga burgu.