Gjykimi i Blerim Nokajt për grabitje FOTO- Tringa Rruka

Gjakovë, del para gjyqit i ekstraduari nga Italia për grabitjen e 2013-tës

Blerim Nokaj, i akuzuari për grabitjen e qershorit të vitit 2013, doli sot para Gjykatën e Gjakovës pasi ishte arrestuar në Itali dhe ishte ekstraduar në Kosovë.

Prokuroria pretendon se Nokaj në bashkëkryerje me Fuat Gjevukaj nga Peja, kishin hyrë në një bastore në Gjakovë, kishin sulmuar me mjet të rrezikshëm Flamur Ponoshecin të cilit ia kishin marrë 2 mijë euro dhe i njëjti nuk i kishte mbijetuar lëndimeve dhe kishte vdekur.

Pas leximit të aktakuzës së ngritur nga ish-prokurori Agron Matjani, e lexuar sot nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari Blerim Nokaj, nuk pranoi të flasë por tha se do të mbrohet në heshtje.

Ndërsa gjykatësi i rastit Gëzim Pozhegu, caktoi datën 23 tetor për kundërshtimin e akuzës dhe provave të saj.

I akuzuari gjendet në paraburgim nga data 16 maj 2019, pasi që vitin e kaluar ishte arrestuar prej autoriteteve italiane, ndërsa këtë vit u ekstradua në Kosovë.

Blerim Nokaj, ishte ekstraduar nga Italia për në Kosovë për veprën që dyshohet se është kryer në qershor të vitit 2013, në bashkëkryerje me Fuat Gjevukaj.

Më pas, aktakuza ishte ngritur në muajin mars të vitit 2014, mirëpo dy të akuzuarit atë kohë gjendeshin në arrati.

Pas dy muajsh,përkatësisht në maj të vitit 2014, i akuzuari Fuat Gjevukaj ishte paraburgosur dhe në qershor të vitit 2017, i njëjti ishte dënuar me 6 vite e gjysmë burg.

Ky dënim ishte dhënë për nihmë në kryerjen e grabitjes,pas një marrëveshjeje të arritur me pranimin e fajësisë, vepër kjo e cila nga Prokuroria ishte rikualifikuar nga vepra e grabitjes në bashkëkryerje në veprën penale të ndihmës në grabitje.

Ky dënim ishte dhënë nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, në vitin 2017.

Kundër këtij dënimi, pala e dëmtuar avokati Teki Bokshi, që përfaqëson familjen e të ndjerit Flamur Ponosheci, kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kishte kërkuar edhe kompenzim dëmi në vlerë prej 100 mijë euro, mirëpo ankesa ishte hudhur poshtë si e palejuar.

KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.

Paraburgimi i Nokajt, ishte caktuar për vepër penale të grabitjes me pasoja të vdekjes.

Ai ishte dërguar menjëherë në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.

Sipas aktakuzës së ish-prokurorit Agron Matjani, i akuzuari Blerim Nokaj bashkë me Fuat Gjevukaj, po akuzohen  se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes.

Në aktakuzë thuhet se në qershor të vitit 2013 në rrugën “Fehmi Agani”, në Gjakovë në bastorën “Eurolloto”, duke përdorur forcën kanë sulmuar Flamur Ponoshecin dhe prej tij kishin marrë 2 mijë euro.

Aktakuza shpjegon se dy të akuzuarit e kishin sulmuar në kokë disa herë me mjet të fortë të rrezikshëm dhe i njëjti ishte rrëzuar në tokë dhe kishte humbur vetëdijen, ndërsa të akuzuarit kishin ikur në drejtim të panjohur.

Aktakuza thotë se mbas dy javësh, do të thotë me datë 28 qershor 2013, Flamur Ponosheci kishte vdekur nga lëndimet e shkaktuara.

Paraburgim për të ekstraduarin nga Italia në Kosovë