Gjakovë, burg me kusht e gjobë ndaj ish-Drejtorit të Qendrës së Shërbimit Mendor

Ismet Bardhoshi, ish-Drejtor i Qendrës së Shërbimit Mendor në Gjakovë u dënua  me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në periudhën prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Përveq kësaj, Bardhoshit iu dha edhe dënimi me gjobë në shumë prej 300 euro, të cilin dënim ai duhet ta paguaj në afatin prej 15 ditësh.

Ismet Bardhoshi, ish-Drejtor i Qendrës së Shërbimit Mendor në Gjakovë, i cili po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, dje kishte pranuar fajësinë.

Në këtë çështje gjykatës ishte Mentor Bajraktari, mirëpo vitin e kaluar i njëjti ka kaluar në departamentin për krime të rënda dhe lënda i është caktuar gjykatësit Drilon Haraçia.

Ismet Bardhoshi ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, Ismet Bardhoshi duke qenë në cilësinë e zyrtarit publik- drejtor i qendrës së shërbimit mendor në Gjakovë, nuk paraqet të dhënat e kërkuara për deklarimin e pasurisë.

Kështu në Agjencinë Kundër Korrupsion, i njëjti ka paraqitur tokë bujqësore prej 6000 m² dhe një banesë prej 80 m², ndërsa në AKK ka dalur të jetë pronar i paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 11.001.25 m²- thuhet në aktakuzë.