Ilustrim - Gjykata e Gjakovës
Gjakovë, asamblisti i LDK-së dënohet me kusht dhe gjobë
Gjykata e Gjakovës i ka shqiptuar dënim me kusht prej 6 muash Sadik Hotit, asamblist i LDK-së në Kuvendin e Gjakovës. Ai po akuzohet për mosraportim të pasurisë.
Sipas gjykatësit Drilon Haraçia, ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Përveç kësaj, Hotit iu dha edhe dënimi me gjobë prej 300 eurove, dënim ky që duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh.
Sot, paradite Sadik Hoti pranoi akuzën e Prokurorisë.
Hoti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Dëshire Jusaj thuhet se nga data 1 deri më 31 mars të vitit 2019, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në Kuvendin Komunal në Gjakovë, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sadik Hoti nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë veturën e cila është në pronësi të djalit të tij “Volkswagen VW- Golf 1K”, vit i prodhimit 2011.