Gjakovë, asambleistja pranon se nuk ka deklaruar pasurinë me kohë

Asambleistja nga radhët e Alternativës, Drita Zhaveli doli sot para Gjykatës së Gjakovës ku pranoi akuzën e Prokurorisë  për mosraportim të pasurisë.

Prokuroria pretendon se Drita Zhaveli, në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka kryer obligimin e saj për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

“Gabimi ka qenë tek unë për faktin se e kam paraqitur pas 3 ditësh edhe pse tek Agjencioni i kam treguar se kam qenë e sëmurë, mirëpo ata nuk e kanë marrë për bazë. Andaj kërkoj nga gjykata që të ketë parasysh një dënim më të lehtë, sepse nuk kam pasur për qëllim mosraportimin e pasurisë”, deklaroi Zhaveli.

Pranimin e fajit e pranoi edhe gjykatësi i rastit, Drilon Haraçia.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore 1 mars deri më 31 mars 2019, Drita Zhaveli në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt në afatin e paraparë ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se ky obligim është i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik edhe përkundër faktit se e njëjta ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e pasurisë, ajo nuk e ka raportuar pasurinë me kohë.

Ndaj këtij rasti, shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot pasdite nga gjykatësi. Drilon Haraçia.