Gjakovë, arrestohet një person për dhunë psikike ndaj gruas

Një person është arrestuar në Gjakovë nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj gruas së tij.

Rastin në polici e kishte raportuar babai i vajzës, i cili kishte deklaruar se dhëndri ishte duke ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj për KALLXO.com ka thënë se njësiti policor kishte shkuar në tek banesa ku ishin i dyshuari dhe viktima (çifti bashkëshortor) por, i dyshuari nuk e ka hapur derën.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe prokurorja kujdestare, ku kanë kërkuar nga i dyshuari ta hapë derën por i njëjti ka refuzuar. Nga dyshimi që i dyshuari mund të bëjë më të keqen, me urdhër të prokurores është hapur dera me forcë. I dyshuari është arrestuar dhe sjellë në stacion”, ka njoftuar Xhurkaj.

Tutje, ai ka shtuar se viktima me katër fëmijët është shoqëruar për intervistim, prej të cilës është mësuar se i dyshuari i kishte shkaktuar dhunë psikike. Ndaj saj gjithashtu është ofruar tretman mjekësor edhe pse nuk ka pasur lëndime trupore.

“Viktimës i është afruar mbrojtje dhe strehim. Viktima ka refuzuar mbrojtjen dhe strehimin dhe e njëjta ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, pasi që ndjehet e sigurtë”, ka njoftuar Xhurkaj.

Sipas Xhurkajt, i dyshuari me urdhër të prokurores është mbajtur në ndalim policor prej 48 orësh.