Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Gjakovë - Arrestohet i dyshuari për grabitje në ‘Ria Money Transfer’

B. G., i lindur me 1986 është arrestuar nga Policia nën dyshimet për grabitje të armatosur në rrugën “Nënë Tereza”, në Gjakovë.

Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, kjo grabitje kishte ndodhur me datën 23 mars 2020 në mbrëmje, në “Ria Money Transfer”.

Në “Ria Money Transfer”, Policia kishte takuar viktimën, e cila kishte raportuar se aty kishte hyrë person i maskuar.

Personi i maskuar nën kërcënimin e armës kishte kërkuar para nga viktima e cila kishte qenë duke punuar aty.

Në njoftim të Policisë, thuhet se nga frika ia kishte dorëzuar të gjitha të hollat e pazarit ditor, por që më pas personi i dyshuar e kishte detyruar viktimën që të kaloj në zyrën tjetër.

Mirëpo, në këtë rast viktima kishte arritur ta shtyjë dhe më pas ajo ishte larguar.

Policia ka arritur që ta arrestojë personin e dyshuar si dhe të sekuestrojë një sasi të konsiderueshme të parave bashkë me armën e dyshuar që është përdorur për kryerjen e veprës penale.

Personi B. G., i arrestuar nga ana e Policisë, me urdhër të prokurorit të shtetit po mbahet në ndalim policor për 48 orë.