Arkiv - Mimoza Kusari Lila në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Gjakovë, afër fundit gjykimi në rastin e padisë ndaj Mimoza Kusari-Lilës

Javën e kaluar, në gjykatën e Gjakovës, janë administruar provat materiale në rastin ku Mimoza Kusari-Lila është paditur për shpifje nga Dervish Tahiri.

Në këtë rast, Tahiri po kërkon kompensim dëmi nga e paditura Kusari-Lila.

Përfaqësuesi i paditësit Dervish Tahiri, avokati Meshari Selimaj në fjalën e tij përfundimtare të dorëzuar me shkrim, ka kërkuar nga gjykata që kërkesë padinë e tij ta pranojë si të themeltë. Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës Mimoza Kusari-Lila, avokati Faton Qirezi, në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta  refuzojë padinë si të pabazuar.

Ky rast, pritet që të vendoset nga gjykatësi Malsor Kryeziu.

Sipas padisë në një mbledhje të Komunës së Gjakovës në mars të vitit 2019, e paditura Kusari-Lila i është drejtuar paditësit Tahiri me fjalët, “ku është Dervish Tahiri le të del të tregon se cilat marrëveshje i ka bërë me krejt ata pronarët për ndërtim”.

Në padi thuhet se e njëjta këto fjalë i ka thënë derisa ka qenë prezente si qytetare gjatë një debati për shpalljen me interes publik të monumentit kulturor dhe historik së kullës “Sylejman Vokshi”.

Padia thotë se e njëjta kishte ndërhyrë pa të drejtën e fjalës, duke e ngritur zërin dhe me një gjuhë shpifëse e fyese.

Sipas padisë së Dervish Tahirit, kjo gjuhë fyese është në kundërshtim me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, me të cilën gjuhë paditësi pretendon se të njëjtit i ka shkaktuar dëm në integritetin personal e profesional të tij, pasi që 19 vite punon në administratën e Komunës së Gjakovës.