Foto: Atdhe Mulla

Gjakova larg marrëveshjes për kompensimin e orëve të grevës

Pasi Ministria e Arsimit ditë më parë ia la në duar DKA-ve formën e kompensimit të orëve të grevës, disa komuna kanë filluar të gjejnë zgjidhje por disa të tjera, siç është Komuna e Gjakovës, ende nuk janë afër.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Bernard Frrokaj, tha për KALLXO.com se e kanë të vështirë të arrijnë një marrëveshje me mësimdhënësit.

“Ende nuk kemi marrë vendim sepse kemi shumë hallë, këta të sindikatës ende nuk po pajtohen, se nuk është problem me shënu një copë letër se po e dergojnë vendimin po këta nuk pe zbatojnë, ne mundemi me be një vendim të dytë por hala jemi duke u munduar të gjejmë një mes me u mbajtë orët”, tha Frrokaj,

Ai shtoi se nuk do ta bëjë një vendim që nuk do të zbatohet nga mësimdhënësit.

“Duhet të flasim me njerëz me mësimdhënësit, me drejtorët dhe me sindikatën nëse mundemi me gjet një zgjidhje që me qenë të gjithë të pajtuar por s’kemi mrri ende në atë nivel”, tha Frrokaj për KALLXO.com

Ndërsa komunat që deri më tani janë duke e zbatuar marrëveshjen mes Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura të grevës janë: Hani i Elezit,  Fushë Kosova, Prizreni, Peja, Prishtina dhe Obiliqi.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur me 15 prill që zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës tri javëshe të mësimdhënësve t’ia lë në duar Drejtorive Komunale të Arsimit.

Që nga koha kur greva e mësimdhënësve -e iniciuar nga kërkesa për rritje pagash- u ndërpre, Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Ministria e Arsimit nuk po mund të i përafrojnë qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje.

Greva tre javëshe e mësimdhënësve ishte mbajtur gjatë janarit në shenjë pakënaqësie me koeficientin e pagës në Ligjin për Paga.