Skema:Kompania e vëllezërve të Sylejman Selimit përfitoi nga çmimi i lartë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” këtë të premte shfaqi hulumtimin “Gjakderdhja Financiare”. Hulumtimi i sotëm zbuloi se çka ndodhë me aneks kontratat, të cilat mundësojnë që kompanitë të marrin tenderë dhe të paguhen më shumë se sa do të duhej të paguheshin.

Në Klinën e qeverisur nga Zenun Elezaj i AAK-së, kompania e vëllezërve të Sylejman Selimit, ka përfituar nga një aneks kontratë për shtrim asfalti.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” faktoi se aneks kontrata është dhënë për punët bazike të cilat do të duhej të ishin paraparë në fillim.

Hulumtimi tregoi se gjatë vitit 2018 komuna e Klinës kishte nënshkruar 21 aneks  kontrata për punë shtesë në vlerë mbi 280 mijë euro.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka zbuluar se kjo komunë ka kontraktuar me çmime shumëfish me të shtrenjta punët në aneks kontratë.

Çmimi për një metër katror zift i njohur si emulizion, është caktuar të jetë 1.20 euro, ndërsa në të tjera projekte ky produkt është përcaktuar me 0.10 euro për metër katror.

Hulumtimi tregon se 21 mijë euro janë paguar për shkak se komuna nuk e llogariti elementin bazik të shtrimit të asfaltit në fillim të projektit.

Për të njëjtin tender hulumtimi nxjerr në pah se kompani të tjera kishin paraparë se me 10 cent do të spërkateshin një metër katror me emulision për dallim nga kompani të tjera të cilat kishin paraparë mbi një euro për metër katror.

Hulumtimi zbuloi se përpos çmimit në këtë projekt janë kryer edhe punë të cilat nuk ishin paraparë fare në kontratë.

Komuna kishte lëshuar dy versione të aneks kontratave, në njërin parashihej të thyhej një shkëmb e në tjetrin jo.