Alain Giresse, trajneri i kombëtares së Kosovës në Futboll | Foto: KALLXO.com

Giresse: Dyert e kombëtares nuk janë të mbyllura për asnjë futbollist

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alain Giresse ka pasur fjalë të mirë për kualitetin e futbollistëve kosovarë.

Gjatë konferencës për media, Giresse është shprehur se Kosova posedon lojtarë me kualitet të lartë. Ai po ashtu është shprehur se e rëndësishme për të është që të ketë rregull.

“Kosova ka futbollistë me kualitet të lartë, për mua si trajner është e rëndësishme të vendosim rregull”, tha Giresse në konferencën e tij të parë para ndeshjeve debutuese në stolin e Kosovës.

Francezi është shprehur se ka potencial, por që duhet punuar që të arrihet suksesi.

Selektori poashtu ka konfirmuar se dyert e Kombëtares së Kosovës nuk do të jetë të mbyllura për asnjë lojtar.

“Derën nuk ia mbylli asnjë lojtari, duhet të shikohet edhe situata, ka probleme të cilat duhet të rregullohen. Ne do të mundohemi që t’i zgjidhim problemet së bashku më lojtarët. Varësisht prej rastit, ne do të tentojmë të rregullojmë problemin që është bërë, por siç e thash më herët, dera nuk do t’i mbyllet askujt”, është shprehur Giresse gjatë konferencës për media.

Giresse është shprehur se ekipi duhet të jetë i bashkuar nëse synohet që të shkohet përpara.

“Nga ana tjetër është edhe një problem tjetër me lojtarët e rinj që luajnë në ligat tjera ndërkombëtare siç është Zvicra, e ne synojmë që t’i bindim ata që të luajnë për ne”, ka thënë më tutje francezi.

Giresse është shprehur se edhe pse është bërë që një muaj që ka marr drejtimin e Kosovës ende nuk ekziston ndonjë formacion bazë që ka në mendje.

“Formacioni varet nga pozitat që luajnë lojtarët, sapo kam marrë drejtimin, këto dy ndeshje do na shërbejnë t’i shohim lojtarët e më pas të krijojmë një formacion bazë“, tha Giresse.