Gërvalla: Zvarritjet për çështjet e pronave fatkeqësisht po ndikojnë në rritje të kriminalitetit

Monitoruesja nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, Vyrtyte Gërvalla, në “Kallxo Pernime” ka deklaruar se të dhënat e prezantuara për gjendjen e drejtësisë civile në raport janë indikator indirekt për rritje të kriminalitetit në shtetin e Kosovës.

“Të dhënat që i kemi, tregojnë që përkundër asaj çka thamë se nuk ka resurse dhe kemi vonesë në trajtimin e këtyre lëndëve, mirëpo jemi dëshmitar muajin e fundit në komunën e Klinës ku po dyshohet se ka ardh deri të tentim-vrasja për shkak të problemeve që ata kanë pas lidhur me pronat, e ky nuk është rasti i vetëm”, tha Gërvalla.

Ajo shtoi se ankesat e qytetarëve lidhur me atë se një lëndë për çështje pronësore nuk mundet me u zgjidh për 10 vjet, i humbin edhe kuptimin dhe rëndësinë asaj të drejtë që palët e kërkojnë përmes padisë në gjykatë.

“Fatkeqësisht edhe pse kjo nuk duhet me ndodhe, kjo situatë dërgon që palët me e marrë ligjin në dorë, edhe pastaj po arrijmë të incidentet në fushën penale për shkak të moszgjidhjes se lëndëve në fushën civile, çka është pak ironike”, shtoi tutje.

KALLXO.com ka publikuar analizën qe tregon për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata, dallimet mes kohëzgjatjes se trajtimit të këtyre lëndëve, si dhe llojet e  lëndëve civile që gjykatat janë më së shumti të ngarkuara.