Gërvalla: Zbuluam mercenarët e grupit ‘Wagner’ në kufirin tonë dhe kontrabandën e armëve në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur në lidhje me tensionet e Kosovës me Serbinë.

Në një intervistë për një media izraelite, Israel Hayom, Gërvalla ka thënë se në dy vitet e fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka kërcënuar Kosovën disa herë me luftë dhe se sipas saj, së fundmi janë zbuluar mercenarët e “Wagner” në kufi dhe kontrabandën e armëve në Kosovë.

“Vetëm në dy vitet e fundit, presidenti serb Vuçiq e kërcënoi Kosovën disa herë me luftë, madje duke vendosur trupa në kufirin tonë, duke dërguar avionë luftarakë, duke pritur ambasadorin rus për vizita në këto trupa, duke përfshirë ushtrinë ruse në ministrinë e mbrojtjes serbe, duke rritur kapacitetet ushtarake. dhe stërvitjet me Rusinë nga rreth 10 deri në afro 100 në vit në vitin 2021. Së fundmi, ne zbuluam mercenarët e “Wagner” në kufirin tonë dhe kontrabandën e armëve në Kosovë. Veprime të tjera të fshehta nga Rusia dhe Serbia po ndodhin në vende të tjera të rajonit”- ka thënë Gërvalla.

Në intervistë, ministrja ka folur edhe për marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, për të cilat tha se është e kënaqur.

“Ne jemi më shumë se të kënaqur. Izraeli dhe Kosova po thellojmë vërtet bashkëpunimin dhe miqësinë tonë. Ne jemi në shumë aspekte vende mjaft të ngjashme. Brenda dy viteve kemi pasur shumë shkëmbime të shkëlqyera, duke filluar nga ato zyrtare tek vizita në biznese private, sigurisht që jemi në rrugën e duhur”- është shprehur Gërvalla.

Më tej, Gërvalla është pyetur se kur pritet të nominohet ambasadori i Kosovës në Izrael.

“Kjo është një çështje që ne me siguri do ta trajtojmë në gjysmën e parë të këtij viti. Vendimi përfundimtar nuk varet aq shumë nga marrëdhënia jonë dypalëshe, por më tepër nga një ristrukturim i vazhdueshëm i shërbimit tonë diplomatik për ta bërë atë dukshëm më efektiv”- ka deklaruar ajo.

Në 15 vjet shtetësi, Republika e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e vendit është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021.

Njohja nga ky vend erdhi nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.

Kjo marrëveshje bëri bujë, pasi ndonëse solli njohjen nga Izraeli, për një vit stopoi aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, sipas moratoriumit të rënë dakord mes palëve.

Për Serbinë, thuhej se “do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.