Gërvalla: Vuçiqi nuk e ka ndërmend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar ndaj fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur më 13.09.2024.
Ministrja Gërvalla e ka quajtur “konferencë teatrale”, konferencën e presidentit serb dhe mendon se ai nuk e ka ndërmend ta ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.
Në reagimin e saj, Gërvalla i ka renditur katër veprime të cilat pretendon se presidenti Vuçiq vet i kishte urdhëruar.
Gërvalla pretendon se Vuçiq kishte urdhëruar largimin e serbëve të Kosovës nga funksionet në komunat veriore të Kosovës dhe më pas kishte urdhëruar bojkotimin e zgjedhjeve lokale, të cilat Gërvalla thotë se i organizuan dy herë, vetëm e vetëm për të krijuar mundësinë e shprehjes së lirë të vullnetit politik të qytetarëve në veri të vendit.
Largimin kolektiv të zyrtarëve policorë nga Policia e Kosovës dhe përfshirjen e ish-policëve në aktivitete ilegale dhe vepra penale në veri, po ashtu pretendon se i kishte urdhëruar Vuçiq.
Më tej, ajo pretendon se Vuçiq urdhëroi largimin e detyrueshëm të gjyqtarëve, të cilët sipas Gërvallës ishin në kundërshtim me legjislacionin përkatës dhe se Vuçiq i shtynte në aktivitete të dyshimta në interes të Serbisë.
Dhe veprimi i katërt që Gërvalla pretendon se Vuçiq e kishte urdhëruar është shtytja, organizimi dhe financimi i grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në barrikadimin e rrugëve dhe akteve të tjera të dhunshme, përmes presionit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve” – ka shkruar Gërvalla në Facebook, më 14.09.2024.
Tutje, Gërvalla mendon se Serbia po bën lojë sistematike me serbët e Kosovës, e cila ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra.
“Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra” – ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ka theksuar se Vuçiq synon të përfitojë nga fondet në emër të serbëve të Kosovës, për të cilat pretendon se transparenca e këtyre fondeve është zero.
Me këtë rast ajo ka përmendur një vilë luksoze të ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe personit që mori përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë më 24.09.2024, Millan Radoiçiq.
“Përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiçi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës. Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radojçiçit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokal” – ka shtuar Gërvalla.
Gërvalla ka folur edhe për themelimin e Prokurorisë së Posaçme të cilën presidenti Vuçiq në fjalimin e tij të datës 13.09.2024 tha se do ta themelojnë për t’i ndjekur të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar.
“Përmes themelimit të të ashtuquajturës prokurori e posaçme synohet ngritja e tensioneve, cenimi i sovranitetit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha shfrytëzimi i këtij mekanizmi për të ndjekur në mënyrë arbitrare sidomos qytetarët serb të Kosovës, të cilët nuk po i binden më pushtetit të Vuçiçit dhe klaneve të tij” – ka thënë Gërvalla.
Kurse, deklarata e Vuçiq për shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, Gërvalla e ka vlerësuar si përpjekje të dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës.
“Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë” – ka theksuar Gërvalla.
Gërvalla u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojnë gjuhën e Vuçiqit karshi Kosovës.
“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës” – ka përfunduar Gërvalla.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten, më 13.09.2024 se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës dhe Metohisë”, teksa ka paralajmëruar marrjen e masave për këtë gjë.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën dhe Metohinë. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
“Kërkojmë të kthehemi te gjithçka që është arritur dhe përparuar në procesin e dialogut”, ka thënë ai, duke iu referuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para nisjes së fjalimit të presidentit serb, Serbia kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Siç theksohet, ky është “parakusht i domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.
Shtatë kërkesat e Serbisë
Sipas dokumentit, Serbia kërkon:
– shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
– kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
– tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
– tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
– formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
– kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Në anën tjetër, së fundmi, më 06.09.2024, në afërsi të tri pikave kufitare të Kosovës me Serbi – Bërnjak, Merdarë e Jarinjë, si dhe në pikën kufitare të Kosovës me Mal të Zi – Kullë, u bllokuan nga qytetarë serbë në territorin e Serbisë.
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Qeveria e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.
Më 30.08.2024, janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit.
Aksioni i Policisë ka nxitur reagimin e ambasadave të vendeve të QUINT-it dhe të BE-së, duke u cilësuar si veprim i pakoordinuar që mund të sjell tensionim të situatës në veri të Kosovës.