Gërvalla: Vetëm në Shtutgart me rrethinë ka më shumë votues sesa në Prizren, do të gjejmë një mënyrë me KQZ-në

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, tha që janë në bisedime me Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që të gjejnë mënyra që asnjë mërgimtar që e ka të drejtën e votës mos të detyrohet t’i imponohet mënyra se si ai e jep votën për zgjedhjet e 09 shkurtit 2024.

Gërvalla tha se së bashku me KQZ-në do t’i gjejnë mënyrat më të mira që askush mos të privohet nga e drejta e tij për ta zgjedhur vetë mënyrën se si do të votojnë.

Edhe pse është vendosur që votimi nëpër ambasada e konsullata dhe numri maksimal i votuesve do të bëhet sipas listës së Komisionit Qendror Zgjedhor, paraprakisht në lidhje me këto lista pati një debat mes anëtarëve të këtij institucioni të pavarur dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“E di që është një vendim i KQZ-së që është marrë sapo ka filluar përgatitjet për zgjedhjet. Ne jemi në kontakt dhe në bisedime të vazhdueshme me KQZ-në. Të jeni të sigurt që do të bëjmë dy palët çmos me qëllim që qytetarët të vendosin se si do e hedhin votën”- u përgjigj Gërvalla në pyetjen e KALLXO.com në konferencën për media më 04.11.2024.

Ministrja tha ka shtete ku ka shumë mërgimtarë, sikur Gjermania. “Për shembull, veç në Shtutgart me rrethinë ka më shumë votues sesa në Prizren” – tha ministrja.

“Ne jemi të detyruar që të gjejmë mënyra që ta japin votën ashtu siç e meritojnë”- tha ajo.

Gjermania prin me gjashtë qendra të votimit në të cilat mërgimtarët, më 08.02.2025, do të mund të hedhin në kuti votën e tyre për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Qendrat e votimit në Gjermani janë në konsullatat në Duseldorf, Mynhen, Hamburg, Shtutgart dhe Frankfurt dhe në ambasadën në Berlin, me nga 2 mijë votues për secilën.

Për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, në diasporë do të votohet një ditë më përpara, më 08.02.2025.

Procesi zgjedhor do të nisë nga ora ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.

Në vendet e tjera do të votohet në nga një qendër të votimit.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 09.02.2025 është 209,878, sipas të dhënave të KQZ-së.

Në cilat qendra të votimeve jashtë vendit do të mund të votojnë mërgimtarët kosovarë?