Gërvalla udhëton për në Londër, merr pjesë në Konferencën për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot ka udhëtuar për në Londër ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Sipas njoftimit të Ministrisë, në këtë konferencë ministrja Gërvalla merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe,James Cleverly.

“Gjatë punimeve të konferencës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare” – thuhet në njoftim.

Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt mbahet nga 28-29 nëntor në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.