Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Të mos harrojmë që zgjidhja finale me Serbinë është vetëm njohja reciproke dhe asgjë tjetër

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz ka folur lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo tha se detyrë e institucioneve të Kosovës është që të përpiqen drejt njohjes reciproke me Serbinë.

“Detyra ime si ministre e Punëve të Jashtme së bashku me kolegët në Qeveri dhe Presidenten është që në procesin e negocimit të kushteve të jemi serioz dhe të përpiqemi që në çdo hap të mos harrojmë që zgjidhja finale me Serbinë është vetëm njohja reciproke dhe asgjë tjetër”- ka thënë ajo.

Gërvalla – Schwarz është pyetur nga gazetarët nëse plani franko-gjerman parasheh njohjen reciproke, por ajo ka thënë se kjo është çështje konfiedencialiteti për të cilën nuk mund të ndaj detaje.

“Ju e dini që ne për planin franko-gjerman me kërkesë të partnerëve tanë që na kanë lutur që ta trajtojmë në mënyrë konfidenciale unë nuk do ta thyej atë konfidencilitet sepse ju takon autorëve të planit që ta prezantojnë ose të merremi vesh që ne të flasim për atë plan”- shtoi tutje ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tw merkurwn ka thënë se ai është i gatshëm që propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania të vendoset në tryezë të diskutimeve.

Takimi i së hënës mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel rezultoi pa marrëveshje për çështjen e targave. Kurti pas takimit trepalësh në Bruksel ka thënë se  Borrell ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.