Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Gërvalla takon ministrin për Europë të Francës, flasin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla- Schwarz është takuar me Ministrin për Europë të Francës, Benjamin Haddad, nën margjinat e Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën në Montreal, Kanada.

“Mbështetja e Francës për Kosovën në rrugën e anëtarësimit euro-atlantik, përkushtimi i përbashkët për paqe dhe stabilitet në rajon dhe Europë, si dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve ishin temat kryesore të diskutimit”- njofton MPJD.

Komunikata e Ministrisë thotë se Gërvalla vlerësoi lart mbështetjen e Francës për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe kërkoi mbështetje të vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndër tjera, është theksuar se integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike është një proces i natyrshëm që pasqyron orientimin strategjik të Kosovës dhe aspiratat e qytetarëve të saj.

“Ministrja Gërvalla dhe Ministri Haddad gjithashtu biseduan për bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, kulturës dhe arsimit, duke rikonfirmuar angazhimin e Kosovës për të forcuar lidhjet me Francën dhe për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Europë”- shkruan në komunikatën për media.

Gërvalla po qëndron që dy ditë në Kanada si pjesëmarrëse në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën.

Para kësaj konference, Gërvalla qëndroi në New York, aty ku përfaqësoi Kosovën në sesionin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.