Gërvalla takon homologun grek, flasin për bashkëpunimin mes dy vendeve

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias i cili po qëndron në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin Kosovë-Greqi dhe potencialin për thellimin dhe zgjerimin e tyre.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës u tha se Gërvalla e Dendias biseduan edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe proceset e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“Nga takimi, doli vlerësimi i përbashkët për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve duke besuar se ky takim do të shërbejë për të forcuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Greqisë dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tone”- thuhet në komunikatë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias gjatë ditës është takuar me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti.