Foto: MPJD
Gërvalla takohet me shefin e ri të Zyrës së BE-së, flasin për procesin integrimit europian të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar më 15.10.2024 me shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gërvalla e uroi ambasadorin Orav për detyrën e re, duke theksuar përforcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, veçanërisht në kontekstin e përshpejtimit të procesit të integrimit europian të vendit.
Gërvalla ka theksuar se Kosova pret trajtimin me urgjencë të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE si hap thelbësor për të ardhmen europiane të vendit dhe të gjithë rajonit.
“Gërvalla nënvizoi përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në demokratizim, sundimi të ligjit, luftim të korrupsionit, avancim të lirisë së mediave dhe të drejtave qytetare, duke treguar qartë përkushtimin e plotë të vendit për të përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se në takim u diskutua për situatën aktuale në veri dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Shefi i ri i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka marrë detyrën më 01.09.2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh. Këtë mandat paraprakisht e ka pasur Tomas Szunyog, i cili ka qenë si ambasador i BE-së në Kosovë nga viti 2020.
Ambasadori i ri ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut europian në Maqedoninë e Veriut nga viti 2012 deri më 2016 dhe në Mal të Zi nga viti 2016 deri më 2020.