(Ilustrim) FOTO: MPJD
Gërvalla: Serbia nuk është Rusi, por ajo po i kopjon strategjitë ruse
Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit.
Shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit shefja e diplomacisë kosovare e ka quajtur një sulm të rëndë ndaj infrastrukturës së Kosovës dhe së një sulm i tillë, sipas saj, nuk ka ndodhur ndonjëherë në Europë përveç në Ukrainë.
“Një sulm aq i rëndë mbi infrastrukturën e një shteti demokratik nuk ka ndodhur ndonjëherë në Europë, përveç në Ukrainë” – ka thënë Gërvalla.
Tutje, ministrja Gërvalla duke folur për këto ngjarje tha se Serbia po zbaton strategjitë e Rusisë dhe po i përshtat ato në kontekstin rajonal, duke përmendur edhe rastin e ndodhur në shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë.
“Serbia nuk është Rusi, por Serbia po kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat ato në kontekstin rajonal” – ka thënë Gërvalla.
Donika Gërvalla në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian përmendi edhe sekuestrimet e armëve që janë bërë nga Policia e Kosovës dhe arrestimin e disa personave që janë të dyshuar për këtë rast.
Gërvalla, gjithashtu përmendi së pavarësisht asaj çka ndodhi në sulmin e shtatorit 2023, BE-ja dhe vende partnere nuk kanë shqiptuar ndonjë masë ndajë Serbisë.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit.
Shpërthimi terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Institucionet e Kosovës kanë konfirmuar se janë arrestuar disa persona.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës kishte mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, ishte diskutuar edhe për ndërlidhjen e mundshme të rastit në Zubin Potok me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni Këtu.