Gërvalla: Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë.
“Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”- ka shkruar ajo në Facebook.
Për mbylljet e pikës së Bërnjak ka bërë të ditur edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdarë nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se do të bllokohen nga grupe të qytetarëve serbë.
Kjo protestë është thirrur tash e disa ditë përmes rrjetit social “Telegram.”
Aty është bërë thirrje vazhdimisht për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Kërkesa e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë si të dyshuara për punë si struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë, por edhe objekte të tjera që janë mbyllur tashmë e që kanë funksionuar si posta apo banka serbe.
Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në pikën kufitare në Jarinjë dhe atë në Bërnjak, për të vrojtuar situatën në të dy këto pika kufitare.
.