Gërvalla përmbyll vizitën në Izrael, vazhdon për në Bruksel

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla ka përmbyllur vizitën e saj në Izrael.

Në kuadër të vizitës bilaterale në Izrael, sipas njoftimit të MPJD-së, Gërvalla vizitoi dje parlamentin e Izraelit ku u takua me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.

“Gjatë takimit me z. Ram Ben Barak, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, ministrja Gërvalla nënvizoi natyrën e veçantë të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe bëri një përshkrim të mundësive dhe nevojës për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, theks i veçantë gjatë bisedës është vënë në sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Përveç kësaj sipas njoftimit, Ministrja Gërvalla  ka zhvilluar takim edhe me Zeev Elkin, ministër i Jerusalemit dhe Trashëgimisë.

“Ata kanë diskutuar për një përfshirjeje më të mirë dhe efektive të gjeneratave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës. Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe mbresëlënëse e Izraelit në këtë fushë”, thuhet tutje në njoftim.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, e përfundoi ditën me një pritje në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë izraelite, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Izrael.

Nga Izraeli, Zëvendëskryeministrja Gërvalla ka udhëtuar për në Bruksel dhe do të marrë pjesë sonte në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep  Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Të dielën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla kishte filluar vizitën e saj në Izrael,  gjatë kësaj vizite ajo kishte nënshkruar tri memorandume me këtë shtet, duke e përmbyllur sot këtë vizitë zyrtare.

Zhvendosje e ambasadës nga Jerusalemi dhe njohja nga Palestina, flet kryediplomatja Gërvalla

Kosova dhe Izraeli nënshkruajnë tre memorandume mirëkuptimi për bashkëpunim në shumë fusha