Ilustrim

Gërvalla për vizat: Nuk pati kundërshtime, janë ngritur çështje teknike

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se diskutimi i mbajtur sot nga Grupi Punues për viza i Këshillit të Bashkimit Evropian në Bruksel ishte pozitiv dhe përkrahës.

Gërvalla ka theksuar se gjatë diskutimeve për vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nuk pati kundërshtime dhe kontestime por janë ngritur disa çështje teknike.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”, ka shkruar ajo në rrjetin social, facebook.

Gërvalla shtoi se tani procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes.

“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili  kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, ka theksuar Gërvalla.

Presidenca Çeke e Këshillit Evropian ka thënë të enjten se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Megjithatë, ajo nuk e ka specifikuar se për çfarë çështje bëhet fjalë.

Përmes një deklarate të publikuar pas debatit të mbajtur nga grupi punues për vizat në këtë Këshill, Presidenca Çeke ka thënë se duhet të vazhdojë diskutimi.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë marrë vesh se Franca ka propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen