Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla në monumentin e zyrtarëve policorë Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Gërvalla për policët e rënë në krye të detyrës: Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj u kthyen në heronj të demokracisë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, në Ditën memoriale të heronjve të Policisë së Kosovës kushtuar policëve të rënë në krye të detyrës ka kujtuar dy zyrtarët policorë, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj.

Ministrja Gërvalla së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, kanë vendosur lule në monumentin e heronjve para objektit të Policisë së Kosovës në Pejë, më 26.07.2024.

Sipas ministres Gërvalla, zyrtarët policorë Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj u vranë vetëm sepse me vendosmëri ishin vënë në krye të detyrës, duke vendosur rendin dhe ligjin në Kosovën për të cilën luftuan me trimëri dhe u kthyen në heronj të demokracisë.

“Në shënim të Ditës Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës, pashmangshëm kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e tyre sublime. Vënia para drejtësisë e të gjithë autorëve të këtyre krimeve është një obligim i patjetërsueshëm i institucioneve tona të drejtësisë. Nuk ka drejtësi në vend pa u zbardhur edhe çdo vrasje dhe çdo krim që ka ndodhur edhe pas luftës në Kosovë” – ka shkruar ministrja Gërvalla në Facebook më 26.07.2024.

Më tej, ministrja Gërvalla ka vlerësuar se sakrifica e policëve Tolaj dhe Haklaj është një thirrje për ndërgjegje dhe një obligim për drejtësi.

“Ata që ranë në krye të detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin, meritojnë nderimin më të lartë dhe përkushtimin tonë të përjetshëm për të siguruar që çdo krim të marrë përgjigjen e merituar” – ka thënë Gërvalla.

Me këtë rast, Gërvalla e ka konsideruar përkujtimin që i kanë bërë si një “udhërrëfyes” në rrugën e tyre drejt drejtësisë.

Gjatë ditës, më 26.07.2024, ministrja Gërvalla së bashku me udhëheqës të Policisë së Kosovës dhe me një pjesë të kabinetit qeveritar vizituan familjen e rreshterit Afrim Bunjakut dhe të policit Enver Zymeri.

Përveç Gërvallës, në vizitë te të dy familjet dhe te lapidari i vendosur për Enver Zymerin ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha së bashku me menaxhmentin e lartë të Policisë.

Te këto vende u vendosën kurora me lule dhe përkujtuan e nderuan sakrificën e zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën e tyre për vendin, njoftoi Policia e Kosovës.

“Zyrtarët e rënë në kryerje të detyrës janë heronjtë e Kosovës dhe kontributi i tyre do të mbetet i përjetshëm në historinë e Policisë së Kosovës dhe të gjithë vendit tonë”- shkruan Policia.

Enver Zymeri i vrarë në vitin 2011, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, është njëri nga 23 policët e rënë në detyrë.

I vrari i fundit në detyrë është rreshteri Afrim Bunjaku. Ai u vra më 26 shtator 2023, gjatë një sulmi terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit nga një formacion i organizuar serb.

Në Ditën memoriale të heronjve të Policisë së Kosovës, Sindikata e Policisë i ka publikuar fotografitë e 23 policëve të rënë në detyrë që nga viti 2001.

Përveç policëve Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, policët tjerë që u publikuan nga Sindikata janë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi dhe Arben Sejdiu.