Gërvalla: Për Kosovën është e papranueshme tërheqja e pjesshme e letrës së Bërnabiq

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se është e qasje e papranueshme “tërheqja e pjesshme” e letrës së ish kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq që ishte dërguar në dhjetor të vitit 2023 në Bashkimin Europian.

Këto deklarata Gërvalla i bëri pas deklarimit të emisarit të BE-së Mirsolav Lajçak i cili njoftoi që Serbia ka tërhequr ketë letër.

“Besoj Lajçak fjalën e ka për tërheqje të pjesshme të asaj letre të Bërnabiq, e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës – gjë që është qasje tërësisht e papranueshme për ne”- u shpreh Gërvalla.

Ajo tutje ka thënë se ka nevojë për rishikim të procesit në tërësi, ndërsa ka shtuar se personat e rijnë që marrin detyra të reja në Bruksel duhet të kenë strategji të qartë.

“Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së në raport me Kosovën dhe Serbinë është se sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më shumë që ata çlirohen nga ndikimi i bandave kriminale dhe mundohen t’i kthehen jetës normale e integrimit në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga ai normalizim i ashtuquajtur i synuar në Bruksel. Kemi nevojë për rishikim të procesit në tërësi. Kemi nevojë që personat e rinj që vijnë në Bruksel të kenë strategji se ku çon procesi i negociatave dhe si do të udhëhiqet”- ka thënë Gërvalla.

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot më 06.09.2024, tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, në të cilën thoshte se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Lajçak ka thënë se marrëveshja e tillë është valide në tërësinë e saj.

Kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit 2023 i dërgoi BE-së letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.