Gërvalla pas takimit me ministren e Finlandës: Ura e Ibrit duhet të hapet

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar se ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të hapet.

Këtë deklaratë Gëvalla e bëri pas takimit që ka zhvilluar sot më 05.09.2024 më ministren e Punëve të Jashtme të Finlandes, Elina Valtonen.

“Sundimi i ligjit është thelbësor për stabilitetin e brendshëm të Kosovës. Kemi diskutuar për zhvillimet në veri dhe urën ne Mitrovicë. Kjo urë që ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar të zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj duke garantuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët”- u shpreh Gërvalla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të pranojë pyetje nga gazetarët lidhur me çështjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, gjatë një vizite në Institutin Francez të Kosovës të martën më 09.03.2024.

Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in, e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e diskutimit të kësaj teme në dialog, sepse sipas saj kjo është antikushtetuese dhe kundër sovranitetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 28.08.2024, ka treguar se çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, diskutohet gjithnjë në takimet që ka me me zyrtarë të ndryshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

Kurti rikujtoi se javën e kaluar ka pritur në takim shefin e Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe admiralin Stuart Munch. Ai theksoi se mbështetja e këtyre zyrtarëve “është e palëkundur” teksa shtoi se përkushtimi i përbashkët “është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë”.

Ndërkohë patrullimi i shtuar i pjesëtarëve të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër vjen pas deklarimeve të Qeverisë së Kosovë se ura duhet të hapet për qarkullim edhe të veturave.

Ndërkombëtarët e kanë kundërshtuar këtë gjë, duke bërë thirrje se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.