Foto: MPJD

Gërvalla paralajmëron strategji qeveritare për diasporën e Kosovës

Në kuadër të “Dialogut me Mërgatën”, ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendësministrja Liza Gashi kanë zhvilluar takim me përfaqësues të shoqatave të ndryshme të mërgatës.

Siç njofton Ministria, gjatë bashkëbisedimit Gërvalla ka njoftuar bashkëatdhetarët se dialogu i nisur i paraprin një strategjie të re, e cila sipas saj, do të reflektojë qasjen e re që Qeveria e Kosovës ka ndaj mërgatës dhe diasporës.

“Prioritet do të kemi ndër të tjera përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në konsullatat dhe ambasadat tona, institucionalizimin e kontakteteve me partnerët tanë ndërkombëtarë në shërbim të nevojave të mërgatës sonë, hartimin dhe implementimin e strategjive në fushat e diplomacisë ekonomike dhe kulturore në shërbim të promovimit të potencialit ekonomik, turistik, kulturor dhe sportiv të vendit, transferin e dijes nga mërgata në Kosovë përmes identifikimit të potencialit dhe përfshirjes së mërgatës në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore”, ka thënë Gërvalla.

Ndërkaq zëvendësministrja Liza Gashi vuri në pah në mënyrë të veçantë nevojën për përmirësimin dhe institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe në mërgatë, duke e vënë theksin tek koordinimi më i mirë dhe përmirësimi i cilësisë së materialeve mësimore.

Gashi njoftoi të pranishmit edhe për konsultimet rreth një strategjie për regjistrimin më efektiv të mërgatës.

“Përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme nga mërgata ngritën çështje me interes që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe si dhe bashkëpunimin me ambasada dhe konsullata, si dhe nevojën për përfshirje në projekte që kanë të bëjnë me mërgatën”, thuhet në njoftim.