Donika Gervalla

Gërvalla: Nuk shoh arsye ta zhvendosim ambasadën nga Jerusalemi

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla në një intervistë për i24NEWS ka folur për mundësinë që ambasada e Kosovës të zhvendoset nga Jerusalemi në rast se Palestina do të njihte pavarësinë e Kosovës.

Gërvalla e cila ka qëndruar në Izrael, ka thënë se në të ardhmen e afërt nuk sheh ndonjë njohje nga Palestina.

“Nuk e shoh që të ndodh kjo, dhe për aq sa mund të gjykoj në këtë moment nuk e shoh që mund të ndodh njohja (nga Palestina). Po ne jemi të interesuar të kemi raporte të mira me Palestinën, kemi zhvilluar kontakte të mira”, ka thënë ajo.

Gërvalla gjatë kësaj interviste është pyetur se cilat mund të jenë arsyet që Kosova do të ndërmerrte ndonjë hap për zhvendosjen e ambasadës nga Jerusalemi.

“Ne kurrë nuk mund ta dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por nëse më pyesni mua, nëse shoh tani ndonjë arsye që të ardhmen (të zhvendoset), unë nuk shoh tani arsye. Ne do të punojmë nga këtu dhe do të jemi shumë të qartë se Kosova është vogël por është partner i besueshëm dhe serioz”, ka thënë tutje ajo.

Gërvalla ka thënë se vendosja e objektit të ambasadës në Jerusalem ka qenë zotim i marrëveshjes së Uashtingtonit, dhe Kosova i mbanë premtimet.

“Ishte një premtim dhe një angazhim i ish-qeverisë në Uashington që ne do të hapim ambasadën tonë në Jerusalem. Dhe ne i mbajmë premtimet tona sepse jemi një partner i besueshëm ndërkombëtarisht”, ka theksuar ajo.

Të dielën ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla kishte filluar vizitën e saj në Izrael,  gjatë kësaj vizite ajo kishte nënshkruar disa marrëveshje me këtë shtet, duke e përmbyllur sot këtë vizitë zyrtare.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem derivon nga Marrëveshja e 4 shtatorit, 2020 në Uashington për normalizim ekonomik. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem.

Më 1 shkurt 2021 Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars.

Përveç Turqisë, edhe Bashkimi Evropian e kishte kritikuar vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.

BE-ja e konsideron statusin e Jerusalemit si çështje rreth së cilës ka mospajtime mes shtetit të Izraelit dhe autoriteteve palestineze.

Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jerusalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.